Vrasja e 27-vjeçarit në Vlorë/ Bezhanaj i dënuar në Belgjikë! Policia rikthehet në vendngjarje

2 Dhjetor 2020, 14:41 | Përditesimi i fundit: 2020-12-02 14:51:48

VLORË - Një ditë pas ekzekutimit të Benjamin Bezhanajt në fshatin Dukat të Vlorës, policia ka shkuar sërish në vendngjarje për të vijuar hetimin në skenën e krimit, kjo për shkak se gjatë mbrëmjes së djeshme, errësira e ka bërë thuajse të pamundur.

Autoritetet kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë duke bllokuar dhe hyrjen në fshat nga rrugica ku u vra 27-vjeçari.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se i riu ka qenë në një burg në Belgjikë por nuk dihet ende se për çfarë ishte dënuar. Policia po heton nëse vrasja e tij ka lidhje me dënimin në shtetin belg.

Gjithashtu policia dyshon se i riu është ekzekutuar 1 orë e gjysmë pasi është njoftuar policia duke e reduktuar orarin e ekzekutimit në 19:30.

Në lidhje me këtë ngjarje kanë folur dhe banorë të zonës të cilët janë shprehur se familja e tij nuk njihej si problematike dhe shprehen të habitur me vrasjen e Bezhanajt.

Një prej banorëve thotë se i ka dëgjuar të shtënat e armëve por ka menduar se ishin fishekzjarre.

Vlora u trondit mbrëmjen e djeshme nga ekzekutimi i Bezhanajt në aksin aksin Orikum Llogara në Dukat -Fushë të Vlorës. 27-vjeçari, i cili sapo kishte lënë të fejuarën te prindërit u ekzekutuar me 10 plumba automatiku.

Bezhanaj ka vdekur në vend si pasojë e plagëve të marra. Pas atentatit, makina ka dalë nga rruga. 27-vjeçari së fundmi ishte kthyer në Shqipëri, pasi kishte kryer dënimin me burg në Belgjikë.

    No videos found.