Vrasja e Altin Balliut, dosja e të 'forti' të Korçës Olger Mustafa shkon në gjykatë

25 Korrik 2019, 21:17

Olger Mustafa, person që konsiderohet me rrezikshmëri shoqërore në qytetin e Korçës dhe i akuzuar disa herë nga prokuroria e këtij qyteti, për disa vepra të rënda penale, është marrë i pandehur dhe dërguar në gjykim për akuzën e “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Çështja penale kundër 33-vjeçarit Mustafa tashmë ka mbërritur në gjykatën e Korçës, ku pritet që në datën 30 korrik gjyqtarja Flojera Davidhi, të zhvillojë seancën e parë paraprake ndaj këtij të pandehuri.

Mustafa, në 17 janar 2019 ka vrarë me katër plumba, dy në kokë, një në gjoks dhe një në kofshë, të riun Altin Balliu nga fshati Slabinjë e Pogradecit. Ngjarja që tronditi Korçën vetëm pak ditë pas Vitit të Ri, ka ndodhur për shkak të një zënke për bllokimin e rrugës, ku autori i krimit ka filluar të konfliktohet me viktimën Altin Balliu dhe shokët e tij që ndodheshin në makinë. Nga veprimet hetimore dhe analizimi me shumë vëmendje të pamjeve filmike të një kamere që ka filmuar thuajse të gjithë konfliktin, del qartë se konflikti është provokuar nga autori i krimit Olger Mustafa, pasi ka dalë nga makina e tij dhe ka qëlluar me grushte në drejtim njërit prej shokëve të viktimës, që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit. Mandej kanë dalë dhe personat e tjerë që ishin në makinë dhe kanë ndjekur dhe sulmuar Olger Musatafën. Vetë viktima ka qenë në sediljen e pasme, duke qëndruar në mes, pasi kujtojmë që në makinë ndodheshin pesë persona.

Olger Mustafa kishte vetëm disa kohë që ishte liruar nga gjykata e Korçës, pasi në shkallën e parë, Mustafa ishte dënuar në nëntor 2010 me 12 vite burgim për “Vrasjen me paramendim” të mbetur në tentative në dëm të qytetarit Marko Hysolli. Pas daljes nga qelia, sërish Mustafa përfshihet në një konflikt të dytë, ku për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri të riun nga Pogradeci, Altin Balliu.