Vrasja e Anton Kelit në Rrëshen, shoqërohen disa persona! 51-vjeçari shkoi në market i plagosur!

16 Dhjetor 2020, 12:09 | Përditesimi i fundit: 2020-12-16 15:32:37

TIRANË- Kur nuk kanë kaluar ende 24 orë nga ekzekutimi i Anton Kelit në Rrëshen, nuk ka ende një person të ndaluar si autor të dyshuar të ngjarjes, por disa të shoqëruar si persona që mund të kenë dijeni. Gazetari i Report Tv, Elvis Hila ka zbardhur detaje të reja nga kjo ngjarje e rëndë ku mësohet se viktima është me armë zjarri automatik "skorpjons" dhe tre plumba e kanë prekur në trup në organet jetësore.

Mësohet se pasi është qëlluar viktima ka lëvizur rreth 100 metra dhe ka shkuar dhe kërkuar ndihmë te një market. Sipas burimeve, në momentin që 51-vjeçari është futur në market një nga plumbat i ka dalë nga trupi dhe i është gjetur në ambientet e brendshme të këtij biznesi. Ai ka rënë pa ndjenja, ku dhe më pas ka ndërruar jetë në spital.

Sipas burimeve Anton Keli nuk rezulton të jetë person me precedent penal dhe duke qenë se ka lidhje me familjen Gjini, hetimet janë përqendruar tek ngjarjet e mëparshme, por edhe tek ndonjë konflikt personal që mund të ketë patur. Në zonë janë sekuestruar disa kamera sigurie të cilat po analizohen nga grupi hetimor. Në zonën ku ka ndodhur ngjarja janë gjetur dhe sekuestruar 6 gëzhoja, teksa 3 nga plumbat e kanë kapur në trup.

Kush është Anton Keli? Keli është kushëriri i Armando (Tonin) Gjinit dhe i Preng Gjinit. Armando Gjini mbeti i vrarë në 12 ngusht 2019. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi fatmirësisht ka mundur ta pikasë në kohë lëndën eksplozive. Ndërkohë një vit pas vrasjes së Armando Gjinit, në Tiranë organizohet një atentat akoma dhe më i sofistikuar ndaj vëllait të tij, Preng Gjini. 

Gjinit i është bërë atentat më 15 shtator në Tiranë. Por ai fatmirësisht i ka shpëtuar atentatit të mirëorganizuar mbi urën e Selitës dhe më pas iu nënshtrua një operacioni në bark, duke kaluar gjendjen kritke. Makinës së tij i vendosën tritol të një sasie 400 gram C4 në pjesën e përparme të makinës dhe shpërthimi i madh është kontrolluar nga një telekomandë në distancë ndërsa ai ishte duke udhëtuar. Vrasja e Kelit dyshohet se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen.