Vrasja e Behar Sofisë në mes të Tiranës, zbardhet dëshmia e shoferit që trondit hetimet! Konflikti me sipërmarrësin bëhet pistë e rëndësishme

2 Mars 2021, 16:10

Deklarata e një dëshmitari i ka dhënë një tjetër drejtim hetimeve për zbardhjen e vrasjes së Behar Sofisë. Pista ku po hetohej për ndonjë konflikt të mundshëm të së kaluarës për trafikun e heroinës është lëkundur pas deklaratave të shoferit të viktimës, i cili teksa është marrë në pyetje ka treguar se Sofia ka pasur një debat me një sipërmarrës. Sipas këtij dëshmitari, sipërmarrësi në fjalë, identitetin e të cilit nuk e dinte, i ka vonuar pagesat Sofisë për një dyqan tek zona e Astirit.

Behar Sofia më ka shprehur një shqetësim të tijin. Ai ka pasur një debat me një sipërmarrës përmes telefonit. Nuk kam dijeni në lidhje me identitetin e tij, por Behari më ka treguar se ky sipërmarrës i kishte vonuar pagesat për një dyqan, i cili ndodhet në afërsi të Unazës së Re në Astir.

Pavarësisht kësaj deklarate, e cila ka nxjerr në skenë këtë konflikt të mundshëm të Sofisë më një sipërmarrës, gjithsesi, grupi hetimor vijon verifikimet për të kaluarën dhe larjen e hesapeve. Deri tani, duket se provat mungojnë për të konfirmuar secilën prej tyre, por një burim i tha Report TV se ka disa dyshime për lokalizimin e mundshëm të autorit. Për shkak të sekretit hetimor nuk bëhen me dije detaje të tjera, ndërsa policia, në bashkëpunim me organin e akuzës po punojnë për të pasur rezultate konkrete.

Hetusit janë rikthyer sërish në vendin e ngjarjes, ku pesë ditë më parë u ekzekutua me dy plumba 66-vjeçari. Grupi hetimor është përqendruar edhe njëherë në ambientet në afërsi të lumit të Lanës dhe urës, nga ku dyshohet se ka lëvizur autori i vrasjes. Në foton e siguruar nga Report TV vërehen pajisjet detektuese të metaleve. Çdo provë e mundshme që do të gjendej do të shërbente për zbardhjen ngjarjes dhe identifikimin e autorit.