Vrasja e gjeneralit, Irani sulmon bazat amerikane në Irak, Trump: Jemi më të fuqishmit

8 Janar 2020, 10:53

Irani hakmerret ndaj SHBA-së pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani. Teherani ka goditur me një dyzinë raketash balistike bazat ajrore amerikane në ‘al-Asad’ dhe ‘Irbil’ në Irak, në të cilat janë vendosur trupat amerikane. Mediat italiane, Corriere della Sera shkruan se sipas televizioni shtetëror iranian nga sulmi janë të paktën 80 të vdekur, por SHBA e ka mohuar deri tani. Sulmi ndaj bazave amerikane është kryer rreth orës 01:30 me orën lokale, nga një distancë prej 10 kilometrash. Sulmi është marrë përsipër nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, e cila përmes një mesazhi në agjensinë shtetërore të lajmeve, IRNA, paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi. "Paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të shënjestrohet”.

Sulmi erdhi si hakmarrje pas vrasjes së gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani. Lajmi për sulmin fillimisht u konfirmua nga një komandant sunit i forcave paraushtarake, Qatri al-Obeidi,  në qytetin e afërt të al-Bagdadit, por edhe nga një zyrtar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes në SHBA. “Jane sulmuar bazat ajrore të trupave amerikane ‘al-Asad’ dhe 'Irbil'", është shprehur zyrtari amerikan. Po ashtu, më vonë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, përmes një deklarate zyrtare për mediat pohoi sulmin, ndërsa shprehet se Shtëpia e Bardhë po vijon monitorimet.“Ne jemi të vetëdijshëm për sulmet ndaj objekteve amerikane në Irak. Presidenti është informuar, po monitoron nga afër situatën si dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë”, tha ajo.SHBA ka rreth 5000 trupa në Irak. Tensionet në rritje në Lindjen e Mesme kanë detyruar Mbretërinë e Bashkuar të vendos në gatishmëri Marinën Mbretërore dhe helikopterët ushtarakë. Vendimi u bë me dije nga Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace. Forcat e Armatosura shqiptare nuk kanë efektivë në Irak.