Vrasja me snajper/ Autori i maskuar si grua priti 5 orë pronarin e TV, erdhi me makinë iku në këmbë! Lidhja e 47-vjeçarit me ushtarin e Met Kananit

8 Janar 2020, 15:16

RRËSHEN- Me një plan të mirëorganizuar në çdo detaj është ekzekutuar ditën e djeshme me snajper me një plumb në zemër, 47-vjeçari Kastriot Reçi, teksa Report Tv në më pak se 24 orë ka zbardhur dinamikën e plotë të gjithë ngjarjes.

Ky atentat është kryer nga dy persona, njëri shofer dhe tjetri qitës, ndërsa nga rrethanat se si është kryer vrasja, rezulton se autori ka qenë një vrasës profesionist, me pagesë. I maskuar si një grua dhe me veshje të zezë, autori ka mbërritur në Rrëshen së bashku me bashkëpunëtorin në orët e para të mëngjesit të së martës (dje, 7 janar), ka nxjerrë nga bagazhi i makinës një çantë në të cilin kishte fshehur snajperin dhe është drejtuar për te pallati i 'hasmit' të 47-vjeçarit, Tonin Gjini, nga ky ka kryer ekzekutimit, detaj ky që vërteton se vrasja ka ardhur për motive hakmarrje.

Gazetari Elvis Hila sjell video nga apartamenti i pabanuar në katin e shtatë të pallatit, nga ku mësohet se autori ka thyer me forcë derën e jashtme dhe grilën dritares, duke lënë të kuptuar se ka qenë në dijeni se në këtë shtëpi nuk banonte askush dhe ka qëndruar në pritje të Kastriot Reçit për dorë orë.

47-vjeçari, ish-bashkëpronari i televizionit "Media Plus" në Lezhë, ka mbërritur në lokalin në pronësi të tij "Mirdita" pas 5 orësh. Që pas vrasjes së vëllait në Itali, Gasper Reçi dy vite më parë, ai kishte kufizuar shumë lëvizjet, madje mësohet se ulej gjithmonë në një cep të lokalit të tij, pasi i druhej një atentati të mundshëm. Në atë mëngjes tragjik, Reçi shoqërohej nga një nga vëllezërit e tij. Sapo kanë parkuar makinën, dy vëllezërit janë drejtuar hyrjes së lokalit, por Reçi është ndalur që të takoj një grua me një fëmijë, e ndërsa vëllai i tij është futur në ambientet e brendshme të lokalit. Sa ka përfunduar takimin me gruan, autori i cili po e ruante prej 5 orësh, e ka qëllua nga një distancë rreth 150-200 metra largësi me një plumb të vetëm në zemër duke i marrë jetën në vend.

Më pas, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ka ecur disa metra në këmbë, për të shkuar deri tek makina kur e priste bashkëpunëtori dhe janë nisur drejt rrugës Rrëshen- Burrel.

Ndonëse e gjithë ekzekutimi i kësaj vrasjeje ishte i mirëmenduar deri në detaje, autori ka lënë gjurmë që mund të ndihmojnë grupin hetimor në zbardhjen e këtij atentati. Në pallat është gjetur snajper, e ndërsa disa km më tutje, në dalje të qytetit, në afërsi të Tregut është gjetur parukja që ai e kishte përdorur si kamuflim. Parukja është dërguar në laborator për të parë mbetjet biologjike, e ndërsa burime për Report Tv bëjnë me dije gjithashtu se e gjithë skena është regjistruar nga dy kamera sigurie, po për shkak të rezolucionit jo shumë të lartë dhe maskimit të autorëve, është e pamundur identifikimi i tyre.

Aktualisht janë shoqëruar disa persona për t'u marrë në pyetje rreth kësaj ngjarjeje, por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar, si autor të dyshuar të krimet. Në pyetje janë marrë banorët e pallatit nga ku u qëllua Reçi, por kanë thënë se nuk kanë parë ndonjë lëvizje apo person të dyshimtë.