Vrasja në Bllok/ Eraldo Rexho: Publiku i web-it e ‘copëtoi’ pa të drejtë Elvana Gjatën

2 Janar 2019, 20:22

Sherri i 4 tetorit të vitit që sapo lamë pas në ish Bllok ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 2 të tjerë, ndërsa i përfshirë ishte dhe i dashuri i këngëtares së mirënjohur Elvana Gjata do të mbahet mend si një prej ngjarjeve më të bujshme të VIP-ave shqiptarë përgjatë 2018-ës. Pikërisht kjo ngjarje por edhe të tjera që ndodhën përgjatë vitit të kaluar u komentuan sot në studion e emisionit “Rreze Dielli” në Report TV nga dy gazetarët e njohur të shoëbiz-it Eraldo Rexho dhe Suada Daci. Rexho tha se komentuesit në web e gjykuan pa të drejtë këngëtaren e cila nuk meritonte të hidhej poshtë për shkak të kësaj ngjarje.

“Unë mendoj që njerëzit që komentojnë nuk janë shumë mbështetës. Publiku i webit e ka gjykuar dhe copëtuar edhe pa të drejtë Elvana Gjatën. Aq më tepër që Elvana e ka mbajtur shumë hermetike historinë e saj, dhe ndoshta iu kthye si bumerang. Unë komentin e kësaj situate do ta sjell përmes gjuhës së një tjetër personazhi që ishte Zhaku. Ajo tha: A e meriton Elvana Gjata që ta hedhim poshtë? Me të vërtetë nuk e meriton, ne të gjithë jemi dëshmitarë të të gjithë muzikës që ajo ka bërë ndër vite dhe gjithë momenteve të bukura që na ka dhuruar”.

Nga ana tjetër, sipas gazetares Daci, edhe media e përdori shumë emrin e këngëtares për të shitur sa më shumë historinë e bujshme që ndodhi 4 tetor që përfundoi me vrasjen e 28-vjeçarit Fabian Gaxha dhe plagosjen e dy të tjerëve në një konflikt mes të dashurit të këngëtares Elvana Gjata dhe miqve të tij, mes të cilëve dhe biznesmeni I njohur Ervis Martinaj.