Vrasja në Bllok, Ervis Martinaj përdori armë, u zhdukën dy pistoleta

3 Nëntor 2018, 14:20

Report Tv zbardh dosjen hetimore për masakrën në lokalin “Monopol” në ish-Bllok më datën 4 tetor ku viktimë mbeti  Fabian Gaxha, si dhe u plagosën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Sipas prokurorisë, nga vendngjarja janë zhdukur dy pistoleta, të cilat ende nuk janë përcaktuar se kush I ka përdorur, por përdorja e tyre në ngjarje është e konfirmuar nga gëzhojat e gjetura. Brenda lokalit janë gjetur 13 gëzhoja të qëlluara nga 3 armë të ndryshme, një prej të cilave, “Glock” me numër serie të fshirë që është gjetur në vendin e ngjarjes.

Ndërsa 2 armët e tjera me të cilat është qëlluar, nuk janë gjetur dhe dyshohet se janë zhdukur nga personat e përfshirë në konflikt. E gjithë përplasja me armë ka ndodhur brenda një harku kohor prej 60 sekondash, ndërsa të përfshirë, sipas prokurorisë kanë qenë dy grupe të rinjsh pjesë e të cilave ishin edhe Marvjol Bilo, në kërkim si autor i vrasjes dhe dy plagosjeve, Fabian Gaxha, që mbeti viktimë, Eljon Hato dhe Ervis Martinaj.

Sipas prokurorisë, nga 13 gëzhojat 10 janë nxjerrë nga e njëjta armë, e pagjetur në vendin e ngjarjes, që deri më tani dyshohet të jetë ajo e përdorur nga ish-komandoja Marviol Bilo. Një tjetër gëzojë e gjetur në vendngjarje, me markerimin “Geco 9 mm Luger” është qitur nga pistoleta “Glock” me numër të dëmtuar, e vetmja armë e gjetur në skenën e krimit, që sipas prokurorisë, rezulton të tjetë përdorur në një përplasje me armë më 26 shtator 2017 në një “Lloto sporti” në Tiranë. Ndërsa dy gëzhojat e tjera janë nxjerrë nga një armë 9 mm, që nuk u arrit të gjendej nga grupi hetimor.

Për të saktësuar se nga kush u përdorën këto armë grupi hetimor ka bërë edhe akt ekspertimin e personave që kanë qëlluar apo përdorur armët mbrëmjen e 4 tetorit.  Në deklarimet e tij Ervis Martinaj ka mohuar që ka pasur apo të ketë përdorur armë, por në bazë të aktekspertimit, Prokuroria të kryer dy ditë pas ngjarjes, më datë 6 tetor prokuroria thotë se:  “Në katër gjurmëkopjuesit objekte të ekspertimit marrë në dy duart dhe në fytyrët e shtetasin Ervis Martinaj, u evidentuan mbetje të nitritëve dhe nitrateve të cilat ndodhen dhe te mbetjet e qitjes me armë zjarri”.

Edhe pse akt ekspertimi i parë u bë me dy ditë vonese, në datën 9 shtator pra 5 ditë pas ngjarjes Ervis Martinajt i bëhet një tjetër ekspertim në duar, dhe sipas prokurorisë, nuk ka rezultuar gjurmë baruti, çka ngre pikëpyetje si për vonesës e bërjes së këtij ekspertimi, kur i akuzuari mund të jetë pastruar ashtu edhe për akt ekspertimin e parë u bë vetëm pas dy ditëve.  Gjithashtu gjurmë mbetjesh nga qitja janë gjetur në dy duart e viktimës Fabian Gaxha dhe të plagosurit tjetër Eljon Hato.

Por këto nuk janë të vetmet prova që prokuroria kërkon “arrest me burg” për dy të plagosurit, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.  Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se Ervis Martinaj përdorte edhe një identitet tjerë, të një shtetasi kosovar me emrin Admir Koca. E pikërisht ky mjet identifikimi në disponim të Martinajt mund ti jap atij mundësi largimi dhe shmangie të hetimeve sqarojnë prokurorët.