Vrasja në ish-bllok, lirohet Ervis Martinaj me 7 akuzat! Mjaftoi garancia 5 milionë lekë

3 Maj 2019, 20:17

Pas shtatë muajsh në qeli lirohet nga burgu 302 në Tiranë Ervis Martinaj, i cili mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua nga policia për masakrën e 4 tetorit 2018. Kujtojmë që Martinaj ishte personi i vetëm që qëndronte në qeli, pasi të gjithë personat e përfshirë në ngjarjen e ish-bllokut ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ishin liruar nga gjykata ose ishin shpallur në kërkim policor. Lirimi i Martinaj nga qelia është bërë ditën e djeshme nga gjykata e Tiranës, ku kërkesa e tij për lirim me kusht është pranuar nga gjyqtari Artan Gjermeni, i cili ka dhënë vendimin për lirimin e Martinaj në datën 2 maj 2019. Mësohet se Martinaj kërkesën e tij e ka shoqëruar me një sërë argumentesh por dhe duke ofruar si garanci pasurore, shumën prej 5 milion lekë të rinj. Tre prokuroret Anisa Qilimi, Artan Lulo, Kreshnik Ajazi kundërshtuan vendimin duke kërkuar që të mbetet në fuqi masa arrest me burg.

Avokati Marash Mirashi është shprehur se nuk ka asnjë provë që e lidh Martinajn me vrasjen në ish-Bllok. "Nuk ka asnjë provë që e lidh Martinajn me vrasjen në ish-Bllok. Nuk do i shmanget drejtësisë, hetimi pasuror mbetet i hapur'.

Kujtojmë që në muajin tetor dhe nëntor 2018 ndaj Ervis Martinaj janë vendosur dy masa sigurimi arrest në burg 30 ditor, por në datën 19 nëntorit 2018 gjykata e Apelit Tiranë, ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” 30 ditor në “arrest në burg”.

Pas këtij vendimi nga ana e anëtarëve të grupit hetimor është bërë një mobilizim, me qëllim sigurimin e prova dhe fakteve të tjera, ku Martinaj besohet se është përfshirë në veprimtari kriminale.

Plot 7 muaj nga ndodhja e masakrës së 4 tetorit 2018 në ish-bllok ku Fabiol Gaxha mbeti i vdekur, dhe Ervis Martinaj e Eljo Hato u plagosën, në prokurorinë e Tiranës është ngritur një grup pune, ku po shfletohej dhe analizohej çdo kallëzim, çdo provë dhe dëshmi që është dhënë në kohë, pranë organeve ligjzbatuese, kundër Ervis Martinaj dhe bizneseve të tij.

Ndaj Ervis Martinaj momentalisht prokuroria e Tiranës ka ngritur 7 akuza atë të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim mbetur tentative”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”,“Falsifikim të pasaportave apo letër njoftimeve”, “Pastrimit te produkteve te vepres penale ose veprimtarise kriminale”, “Fshehje të ardhurash”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ”Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Kujtojmë që pas këtij vendimi të sotëm të gjykatës së Tiranës asnjë person për ngjarjen e 4 tetorit 2018 të ndodhur në ish-bllok, nuk ndodhet ne qeli. I fundit që u dorëzua dhe u lirua me masën e detyrimit për paraqitje ishte Ervin Mata, i fejuari i Elvana Gjata, i cili për disa muaj qëndroi në arrati. Ndërkohë në arrati vijon të qëndrojë kushëri i Elvana Gjata, Merviol Bilo, ish-komandoja i Forcave Speciale të Ushtrisë Shqiptare, i cili akuzohet se ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Fabiol Gaxha, të cilin e vrau në vend, Ervis Martinaj të cilin e plagosi me një plumb në qafë dhe Elio Haton të cilin e plagosi me një plumb në kokë.

Personi që futi në konflikt Mata dhe Ervis Martinaj sipas dyshimeve të prokurorisë besohet se është Eldi Dizdari bashkëshorti i ish-miss Shqipëria Suada Sherifi. Eldi Dizdari dhe Ervin Mata besohet se janë strumbullarët e këtij konflikti që solli dhe përdorimin e armëve, ku Dizdari dhe Mata fillimisht janë zënë në trotuarin, para lokal “Monopol”, dhe motiv besohet se është një borxh financiar i pashlyer nga Mata.

Shtatë akuza për Martinaj
“Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim mbetur tentative.
“Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”
“Falsifik të pasaportave apo letër njoftimeve”
“Pastrimit te produkteve te vepres penale ose veprimtarisë kriminale”
“Fshehje të ardhurash”
“Organizimi i lotarive të palejuara”
”Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”

Pavarësisht akuzave të ngritura nga prokuroria e Tiranës, kjo e fundit gjatë këtyre muajve nuk ka siguruar asnjë provë që të faktonte vrasjen, apo akuzat e tjera.