Vrasja në ish-Bllok, ministri Xhafaj nuk komenton ngjarjen në konferencën me Avramopulos

5 Tetor 2018, 11:47 | Përditesimi i fundit: 2018-10-05 15:16:39

Tiranë- Në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisionerin për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në BE, Dimitris Avramopulos në kuadër të ministerialit BE-Ballkan, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zgjodhi të mos komentojë ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në lokalin Monopol në ish-Bllok, ku humbi jetën Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Laert Hato.

Kujtojmë që ngjarja ndodhi vetëm 50 metra nga Kryesia e Kuvendit dhe 150 metra nga Kryeministria. Ishte gazetarja e Report Tv, Erneta Shevroja ajo që pyeti ministrin në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme.

“Besoj që përgjigja dhe dhashë pak më lart është e vlefshme” 

Fatmir Xhafaj

Më herët ministri Xhafaj deklaroi se do të ketë goditje të tjera ndaj grupeve kriminale, pa e specifikuar se cilat janë ato, por pa iu referuar ngjarjes së mbrëmshme.

eport Tv mëson nga burime se shkak për masakrën ka qenë ngacmimi që viktima i ka bërë këngëtares së njohur Elvana Gjata e cila ndodhej në ambientet e lokalit ku ndodhi masakra. Nga ky moment situata përshkallëzohet dhe dy grupet që ndodheshin në lokal konfliktohen fillimisht fizikisht dhe më pas përdorin edhe armët e zjarrit. Këngëtarja është thirrur sot në polici dhe ka dhënë dëshminë e saj. Policia bën të ditur se ka identifikuar autorin që ekzekutoi me plumb në kokë Gaxhën dhe plagosi tre të tjerë, por nuk bën të ditur emrin e tij për arsye hetimore. Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë.