Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes që ndodhi sot në Shkodër. Deputeti demokrat, Ervin Salianji, në një konferencë për mediat, nga selia e PD-së, tha se qyteti verior ndodhet nën pushtetin e bandave, që sipas PD-së, gëzojnë mbështetjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe kryeministrit Edi Rama.
Bandat, tha Salianji, janë të paprekshme, dhe denoncimet e qytetarëve për terrorin e ushtruar ngelen të pazbardhur.
Pjesë nga deklarata e Salianjit:
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj edhe sot refuzuan të përballen me realitetin e përkeqësuar të sigurisë, duke fshehur situatën e rëndë kriminale në qytetet më të mëdha të vendit. Në Fier, Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër krimi sundon bashkë me qeverinë qëndrore dhe lokale të Edi Ramës, çka e provoi sot vrasja tjetër mafioze dhe e pazbuluar në Shkodër. Vrasja e sotme është në serinë e vrasjeve dhe rrëmbimeve të ditëve të fundit në zonën e Shkodrës, ku në pak muaj ka patur 6 viktima, dy të zhdukur dhe 3 automjete të djegur. Familjarët dinë çdo motiv të krimeve që po kryhen nga bandat, edhe policia i di, edhe qytetarët e frikësuar flasin nën zë për autorët, por policia nuk ndërhyn për të gjetur autorët, sepse është ulur në prehrin e bandave me mbështetje politike.Dy ditë më parë paralajmëruam që situata kriminale në qytetin e Shkodrës do të përkeqësohet akoma më shumë, sepse krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji. Mesazhet e qytetarëve përfundojnë në celularët e të paprekshmëve dhe bandave të qeverisë.