Vrasje, përdhunim e trafik fëmijësh/ Del lista e shumëkërkuarve të Durrësit

6 Janar 2019, 15:04

Policia e Shtetit ka publikuar listën e 24 personave më të kërkuar për qarkun e Durrësit. Në listën me 24 persona, pjesa më e madhe janë të dënuar për vrasje. Policia e Shtetit fton cilindo që ka dijeni mbi vendndodhjen e tyre të telefonojnë Policinë në numrin pa pagesë 112, duke ju garantuar anonimatin.

Ndryshe nga të gjithë qarqet e tjera, ky është ai që ka më shumë të kërkuar pa foto. Po ashtu në të janë të përfshirë edhe tre shtetas të huaj, një amerikan, një italian dhe një grek.

Mes tyre është edhe Kujtim Kllogjeri, ndërtues dhe ish-kryebashkiak i Gramshit në vitet ’90, i cili u dënua me 12 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Durrësit për mashtrimin e 39 personave përmes shitjes së shumëfishtë të apartamenteve. Por në vend që të vuante dënimin, Kllogjeri “u zhduk” dhe nuk i dihet vendndodhja prej shkurtit të vitit 2017.

Një prej të shumëkërkuarve të tjerë është edhe Skënder Baku ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasit Lulëzim Shera në rrugën kombëtare Fushë Krujë – Laç.Në vitin 1992, viktima Shera ka pasur një konfikt në burgun 313 me të vëllain e Skënderit, Arjanin, të cilin e ka vrarë me sende të forta. Pasi doli nga burgu në vitin 2010, Lulëzim Shera u vra me kallashnikov nga Skënderi dhe një person tjetër ende i paidentifikuar.