Vrau bashkëatdhetarin për drogë e prostitucion në 2008, ekzekutohet 43-vjeçari shqiptar në Spanjë

5 Shtator 2018, 14:45 | Përditesimi: 5 Shtator 2018, 14:45

Një 43-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në Spanjë. Shqiptari Fatmir A., është vrarë rreth orës 00:45 minuta, pasi është qëlluar me armë zjarri në Reus të provincës Tarragona në Katalonjë. Mediat spanjolle raportojnë se shqiptari është qëlluar nga një person brenda një makine të zezë.

Policia ka deklaruar se e ka gjetur të vdekur shqiptarin dhe se po heton për zbardhjen e plotë të këtij krimi. Për identitetin e shqiptarit dihet vetëm emri i tij, Fatmir.A.

Sipas mediave vendase, të shtënat janë dëgjuar nga banorët. Kanë qënë ata që kanë njoftuar menjëherë policinë.

Sipas medieve spanjolle, 43-vjeçari shqiptar është Fatmir.A, i dënuar më herët për vrasjen e një 26-vjeçari shqiptar në një karburant në Cambrils në vitin 2008.

Shqiptari, në vitin 2008, e ka vrarë 26-vjeçarin për prishje të pazareve të drogës dhe prostitucionit.

b.ha./Shqiptarja.com