Vrau italianin në një fushë duke e shtypur me makinë, arrestohet 24-vjeçarja shqiptare

4 Janar 2019, 19:49 | Përditesimi i fundit: 2019-01-04 21:14:29

ITALI-Një e re shqiptare është vendosur në pranga mëngjesin e kësaj të premteje nga policia italiane. Mediat fqinje bëjnë me dije se bëhet fjalë për Aurela Perhati, 24-vjeçe. Ajo akuzohet për vrasjen e 53-vjeçarit Massimo Garitta.

Ky i fundit u gjend i pajetë më datë 1 janar, në një fushë në komunën Ovada të provincës së Alessandrias. Mediat italiane shkruajnë gjithashtu se Perhati, ndonëse me vështirësi, ka pranuar se e ka marrë me makinën e saj viktimën dhe se e ka shtypur me mjet pasi e ka çuar në fushë.

Karabinierët i janë drejtuar shqiptares 24-vjeçare pasi në xhupin e viktimës u gjend i stampuar numri i marmitës së makinës “Lancia Y”. Duke u kufizuar kështu kërkimi, ata konstatuan më tej se gjurmët e gomave të makinës së Aurela Perhatit ishin të përputhshme me ato të gjetura edhe në vendngjarje.

E reja ndodhet momentalisht në paraburgim në Vercelli, në pritje të masës së sigurisë. Motivet e krimit mbeten ende të paqarta, por paraprakisht hetuesit kanë hedhur hipotezë se midis shqiptares dhe italianit mund të ketë pasur lidhje dashurore