Vrau në gusht biznesmenin vlonjat pas sherrit për kalin, arrestohet autori

30 Tetor 2019, 14:12

Eduart Xhezo, i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Vlorë pasditen e 4 gushtit, ku la pas një viktimë e dy te plagosur është arrestuar sot nga policia e Durrësit.

Policia e Vlorës, Tiranës e Durrësit kanë bërë një vëzhgim disa ditor për të vënë në pranga 34-vjeçarin, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje. Pas informacioneve të marra  për vendin e ndodhjes së Eduart Xhezos janë organizuar  forcat e Posaçme të Operacionales në Tiranë për ta kapur, por  sapo ka parë Policinë 34-vjeçari ka lëvizur me shpejtësi të madhe në drejtim të Durrësit. Edhe në hyrje të Durrësit, Policia ngriti një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mjetit nuk i është bindur urdhrit  për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi.Forca e Posaçme Shqiponja të  Durrësit dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe tek “Mbikalimi i këmbësorëve" te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat e tjere qe ndodheshin ne te, të cilët u shoqëruan në Polici së bashku me Eduart Xhezon i cili ishte nën efektin e lëndëve narkotike.

Në makinën me të cilën po udhëtonin këta persona u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Vrasje në rrethana cilësuese", kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve".