Vritet 55-vjeçari në Dukagjin! Shkoi në fshat të merrte zahiret e dimrit, nipërit e gjejnë të pajetë në rrugë

21 Tetor 2019, 20:21 | Përditesimi i fundit: 2019-10-21 21:32:12

SHKODËR - Një person është vrarë me armë zjarri në zonën e thellë të Shoshit në qarkun e Shkodrës, në Malësinë e Dukagjinit, nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Viktimë mbeti Lazer Arraj, i cili njihej si Pjetrushi.

Nga raportimet e para viktima ka marrë dy plagë me armë zjarri dhe ka humbur jetën. Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta. Burime për gazetarin Ergys Kavaja thonë se 55-vjeçari jetonte në Shkodër dhe se kishte shkuar në fshat për të marr zahiretë e dimrit. Të njëjtat burime thonë se Lazer Arraj u gjet i vrarë në rrugë, dhe se ishin nipërit e tij që jetojnë në fshat të parët që e panë. Pjetrushi, siç njihej, ka qenë duke u kthyer për në Shkodër, ku edhe banonte.

Policia e njoftuar për ngjarjen e rëndë është nisur drejt zonës, ndërsa në një njoftim paraprak të bluve të Shkodrës thuhet se rreth orës 12:00 në fshatin Shosh është vrarë me armë, 55-vjeçari Lazer Arraj banues në fshatin Palaj, Shosh, Shkodër. Për të shkuar në zonën e Shoshit, në malësinë e Dukagjinit, duhen të paktën 2 orë nga Shkodra.

"Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje  dhe po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit", - thuhet në njoftimin paraprak të policisë.