Festim Lato, i vetëshpallur si 'President i Republikës së Çamërisë' dyshohet se është vrarë në Holandë. Ngjarja është e mbuluar me mister, pasi nuk ka asnjë informacion zyrtar. Fillimisht njoftimin e publikuan miqtë e tij në rrjetet sociale që shprehen se vrasja është politike.
"Në Holandë nga vrasës të paidentifikuar, iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për vrasjen e Festim Latos, sot e familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë, me në krye Kryeministri Ali Aliu, është shumë e tronditur, dhe i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqëve dhe shkove të tij. Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, z. Festim Lato është vrasje me motive politike. Festim Lato është heroi i parë Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë t u bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm" shkruan, Ali Aliu i vetëshpallur si "Kryeministri i Republikës së Çamërisë".
Edhe historiania Elena Kocaqi e njohur si njeri i afërt dhe bashkëpunëtore e Latos, e kontaktuar nga Report Tv u shpreh se është informuar nga miqtë se Presidenti i Republikës fantazmë të Çamërisë është vrarë, por nuk ka informacione për ngjarjen. Por, pavarësisht mesazheve ngushëlluese në rrjetet sociale nuk ka asnjë informacion zyrtar, ndërsa sipas Policisë së Shtetit nuk ka asnjë sinjal apo kontakt nga autoritetet holandeze për vrasjen e ndonjë shqiptari.