Lufta mes bandave në Elbasan, vritet avokati i Çapjave (Pamje ekskluzive)

22 Mars 2019, 19:47 | Përditesimi i fundit: 2019-03-22 22:55:45

Tronditet Elbasani. Vritet me armë zjarri avokati i fisit Çapja, Ravik Gurra. Ai u ekzekutua me një pistoletë me silenciator me një plumb në kokë në qendër të qytetit të Elbasanit në një lokal. 50-vjeçari ishte ulur në ambientet e jashtme të lokalit duke pirë kafe me një ekspert të Avokatit të Popullit, kur një person është afruar duke e qëlluar, ndërsa më pas i ndihmuar nga një tjetër janë larguar me shpejtësi. 

Gurra ka humbur jetën në vend, pavarësisht ndihmës së parë nga personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:35 minuta, rreth 40 metra larg kalasë në qendër të qytetit. Report Tv siguroi pamjet ekskluzive nga lokali ku u ekzekutua avokati, teksa trupi i tij ishte i shtrirë poshtë tavolinës. 

Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes ku është gjetur një gëzhojë dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë për të shkuar në gjurmët e autorëve. Ravik Gurra është një avokat i njohur, pasi ishte mbrojtës në cështjet ligjore të fisit Çapja, avokat i dytë në dosjen e Emiljano Shullazit, por edhe shumë dosjeve të tjera në Elbasan, Tiranë dhe qytete të tjera.

Pak minuta pas vrasjes në periferi të qytetit është gjetur e djegur një makinë tip Benz me targa AA 934 HU, e cila dyshohet se u përdor nga autorët për vrasjen. Policia po heton në pistën e vrasjes për shkak të detyrës, por edhe hasmërinë mes grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit. Përplasja mes grupeve dhe vrasja e avokatit duket se është një mesazh mes rivalëve se mund të lënë edhe pa mbrojtës ligjor. Ndërkohë që ekspertë të policisë së shtetit dhe RENEA kanë zbarkuar në Elbasan.