Vuçiç në Moskë këshillohet me presidentin rus para takimit Kosovë - Serbi në Shtëpinë e Bardhë

24 Qershor 2020, 14:38

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se mori këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, lidhur me çështjen e Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin rus në Moskë, ku po qëndron po ashtu për të marrë pjesë në një parakalim me rastin e përvjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pas takimi kokë më kokë me presidentin Putin, presidenti serb tha se mori "këshilla dhe analiza të mira" gjatë bisedave për "rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe nëse mund të them, Putini në një mënyrë të zgjuar paraqiti mendimet e tij duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim", tha ai, por pa dhënë hollësi se cilat ishin këshillat e presidentit rus.

"Putini është shumë i matur dhe i madh që të thotë diçka në mënyrë të drejtpërdrejtë, po a mund të jap udhëzime në mënyrë të zgjuar? Nuk ka dyshim për këtë", tha ai.

Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, ka theksuar disa herë se do të mbështes çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vizita e presidentit serb në Moskë, ndodh në prag të takimit të së shtunës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij dhe muaji korrik pritet të jetë periudhë bisedimesh.