Vuçiç nuk prek Drenicën, shqiptarët bllokojnë rrugët, presidenti serb rikthehet në Mitrovicën e Veriut (VIDEO)

9 Shtator 2018, 14:51

KOSOVE - Nisi me tensione dita e dytë e vizitës së Aleksandar Vuçiç në Kosovë. Protestuesit nga Skënderaj bllokuan dy rrugë kryesore nga Mitrovica për në Skenderaj. Është fjala për bllokimin e rrugës në fshatin Runik dhe Vojtesh, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç në fshatin Banjë të rajonit të Drenicës. Më herët autoritetet e Kosovës kishin dhënë leje për vizitën e Vuçiç edhe pse ishte kontestuar nga autoritetet lokale dhe banorët vendas.Qindra protestues shqiptarë kanë dalë, që nga ora 06:00 e mëngjesit, në rrugën që lidh Skënderajn me Mitrovicën, për të protestuar kundër vizitës së presidentit serb në fortesën e luftës për lirinë e Kosovës. Në ballë të protestës janë edhe deputeti Bekim Haxhiu, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta në Skenderaj, si dhe qytetarë të shumtë.
Madje ata kanë vënë kamionë, goma edhe një barrikadë me drunj, të cilës pastaj i kanë vënë zjarrin. Qytetarët shprehen të vendosur për të mos lejuar kalimin e eskortës së presidentit serb.Motoja e tyre është "Vuçiçi nuk kalon", ndërsa në duar mbajnë pankarta ku ishin shpalosur emrat dhe fotot e të vrarëve nga ushtria serbe në luftën e Kosovës për liri. Krahas të vrarëve, janë edhe 1648 persona të tjerë të cilët raportohen të zhdukur që prej përfundimit të konfliktit 19 vite më parë. Protestuesit kërkojnë nga Beogradi dhe kreu i shtetit serb të kërkojnë familje për krimet çnjerëzore në Kosovë, ndjesë e cila nga autoritetet serbe nuk ka ardhur kurrë.

Megjithatë, për të shuar tensionet në Kosovë mendoi kryeministri Ramush Haradinaj i cili anuloi vizitën e Vuçiç, vendim me të cilin nuk u pajtua presidenti serb i cili tha se do gjente rrugë dytësore për të shkuar në fshatin Banjë të Skënderajt. Presidenti serb u ndalua nga policia e Kosovës dhe nuk u lejua të vijonte udhëtimin drejt Drenicës, duke u rikthyer në Mitrovicën e Veriut. 

Aleksandar Vuçiç po zhvillon në Kosovë një vizitë dy ditore. Dje ai u ndal në Veri të Kosovës nga ku shprehu mesazhe bashkëpunimi me shqiptarët.

Ora 12:44
Gazetarët Hamiti dhe Morina për ‘Report Tv’: Kërcënimet e Vulin, asgjë serioze; Vuçiç po vijon me vizitat 

Dita e sotme në Kosovë ka nisur me trazira për shkak të protestave të zhvilluara nga banorët e zonës së Skenderajt, të cilët protestuan kundër vizitës së Vuçiç.

Dy gazetarët Lavdim Hamiti dhe Gazment Morina në një lidhje për ‘Report Tv’ kanë raportuar mbi situatën në Kosovë.