Vullnetarët i bashkohen aksionit të bashkisë për transformimin e zonën e Allgjatës në Vaqarr

2 Prill 2019, 16:06

Dhjetëra vullnetarë dhe punonjës të institucioneve të varësisë së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan aksionit për mbjelljen e 25 mijë fidanëve të rinj në zonën e Allgjatës në Vaqarr, për t’i kthyer kurorën e gjelbër, të cilën e ka humbur gjatë viteve të tranzicionit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se tashmë të gjithë qytetarët e kanë kuptuar rëndësinë që ka mbrojtja e mjedisit.

“Nuk besoj se ka pasur një pamje më të bukur Tirana, se sa mijëra njerëz të përfshirë në çdo cep të territorit për të mbjellë pemë. Jam sot shumë krenar që i shërbej një qyteti, ku njerëzit e kanë kuptuar misionin e tyre: që ky është një mision jo për politikë, jo për bashki, jo për administratë, por një mision për familjet tona”, tha Veliaj, teksa solli në vëmendje se si po transformohet e gjithë infrastruktura dhe pamja e Kombinatit, që vite më parë prodhonte veç ndotje dhe ndërtime informale.