Wall Street Journal: Vëllai i vrarë i Kim Jong-unit ishte informator i CIA-s

11 Qershor 2019, 13:23

Një informacion të fortë ka shpërndarë e përditshmja “Wall Street Journal”: Gjysmë vëllai i liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka qenë informator i CIA-s para se të vritej më 2017 në Malajzi.

Duke cituar “një person të informuar mirë mbi çështjen”, e përditshmja “Wall Street Journal” me seli në SHBA, shkruan se “ka ekzistuar një lidhje” midis Kim Jong-Nam-it dhe CIA-s, duke shtuar megjithatë se “shumë hollësi rreth marrëdhënies së tij me agjencinë amerikane mbesin të paqarta”.

Sipas burimit, kur Kim Jong-Nam udhëtoi në Malajzi dhe gjeti aty vdekjen prej gazit nervin, sprucuar në fytyrën e tij nga dy gra, ai ishte aty për të takuar burimin kontaktues me CIA-n, ndonëse ky mund të mos ketë qenë qëllimi i vetëm i udhëtimit. Për vdekje e Kim Jong-Nam-it u akuzua vëllai i tij Kim Jong-un që gjithmonë i ka hedhur poshtë akuzat. /Përgatiti Ilir Çuçi