Xhaçka me rekrutët e rinj: Hapja e FA për vajzat, një domosdoshmëri

19 Shkurt 2019, 11:52

143 djem e vajza u nisën sot për në Shkollën e Trupës në Bunavi, ku për rreth 3 muaj do t'i nënshtrohen Stërvitjes Individuale Bazë, përpara se të betohen si ushtarët dhe detarët më të rinj të Forcave të Armatosura.

Në ceremoninë e përcjelljes së rekrutëve të rinj ishte e pranishme vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila vlerësoi zgjedhjen e këtyre djemve e vajzave për t'iu bashkuar Forcave të Armatosura.

“Të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura do të thotë të bëhesh pjesë e një skuadre. Nuk është e lehtë e nuk mund të jetë e lehtë të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura. Aq më shumë sot, kur të bëhesh pjesë e ushtrisë shqiptare, do të thotë të bëhesh pjesë e një aleance si NATO. Do të thotë që nesër pasnesër të shërbesh në misionet e Aleancës krah për krah me aleatët tanë amerikanë, gjermanë, francezë, anglezë. Me ushtarakët e ushtrive më moderne e më profesioniste që njeh sot bota”, u shpreh ministrja Xhaçka.