TIRANE-Sot ka nisur dhënia e granteve të rikonstruksionit dhe riparimit të banesave individuale në bashkinë Kamëz, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryeministri Edi Rama u shpreh se janë 771 familje, që përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre në Kamëz. Kreu i qeverisë tha se qeveria do të paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit.
"Janë 9 bashki që kanë bërë gati listat, që janë; Shijak, Kamëz, Rrogozhinë, Kurbin, Mirditë, Vorë, Kavajë, Krujë pjesërisht dhe Tiranë pjesërisht dhe pritet këtë javë më tutje qoftë me Tiranën dhe Durrësin. 9429 përfitues dhe në total kemi një shumë paraprake 3 mld lekë, ose 30 mln dollarë që po shpërndahet te qytetarët. Bashkia Kamëz në total sot po shpërndan 163 milionë e 890 mijë lekë. humë shpejt do të fillojë ndërtimi i banesave individuale dhe kolektive. Ajo që do të ndodhë, është që gjithcka do të bëhet me standarde dhe sipas kriteresh të mirëpërcaktuara, si kudo në Europën që aspirojmë që të kemi këtu në Shqipëri. Infrastruktura nën dhe mbi tokësore, shërbimet dhe jo thjeshtë shtëpitë, që patjetër do të jenë më të forta, më të bukura dhe më të mira dhe cilësore se shtëpitë që për fat të keq familjet humbën në natën tragjike të 26 nëntorit. E keqja e madhe që kaluam do të kompensohet me të mirën e madhe të një transformimi fantastik që do të jetë realitet për mijëra familje shqiptare" tha ai.