Xhafaj: Qeveria të bëjë transparencë dhe strategji! Tërmeti na paralajmëroi...

30 Shtator 2019, 18:06

ish-ministri i Brendshëm dhe deputet i PS-së, Fatmir Xhafaj kërkoi që qeveria të bëjë transparencë lidhur me dëmet që janë shkaktuar, ndërsa kërkoi edhe hartimin e një strategjie për zonat që janë më problematike.

"Po ndjek me interes masat e marra nga qeveria pas tërmetit. E vlerësoj të domosdoshme një transparencë më të mirë pasojat e tërmetit, si një përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe pasqyra serioze përballë mundësisë së abuzimit. Jemi në kohë ta bëjmë nëse duam të jemi seriozë me njerëzit. Pamë edhe marrëzinë politike për të bërë politikë me tërmetin dhe çmendurinë e një pjese të medias për të bërë pazar klikimesh për t'ju bindur padronit. Akte të tilla duhet të ndëshkohen. Është momenti për një reflektim.

Tërmetin nuk mund ta parashikojmë por dëmet mund ti parandalojmë, qeveria duhet të përgatisë një strategji të qartë reflektimi me një plan serioz reflektimi. Duhet dokumentim shkencor i vendit, harta sizmike, zonat problematike. E kemi të domosdoshme ngritjen e institucioneve shkencore, kontrollin e ndërtimeve, lejet e paligjshme. Tërmeti na paralajmëroi ne duhet të veprojmë se nesër mund të jetë shumë vonë" tha Xhafaj.