Tashmë kanë kaluar 125 vjet nga koha kur pena më e artë e gjuhës dhe letrave shqipe ka heshtur.
7 Marsi është dita kur albanologu, gjuhëtari dhe përkthyesi i shquar Konstandin Kristoforidhi u largua nga jeta.
Autor i të parit fjalor shkencor të gjuhës shqipe, ky paraprijës i rilindësve, nuk arriti ta shihte veprën e tij të botuar.
I konsideruar si “Bibla” e shqipes, Fjalori i Kristoforidhit, që u ngjiz me brumin e të folmeve të shqiptarëve të Greqisë, e kudo ku flitej ndër toskë e gegë në trojet tona, u botua 9 vite pas vdekjes së tij në Athinë.
Më vonë në vitin 1961 u ribotua me alfabetin e sotshëm nga Aleksandër Xhuvani. Që atëherë, ky fjalor, si dhe një pjesë e veprës së Kristoforidhit kanë shërbyer për akademikët, albanologët e gjuhëtarët si një pishtar për të hyrë në thesaret e fjalëve e të shprehjeve të rralla të gjuhës shqipe.