Zbardhen detaje të tjera nga dosja e prokurorisë së Tiranës, lidhur me pengmarrjen në 17 janar 2020 dhe më pas zhdukjen pa gjurmë të Jan ose Stiljan Prengës në Kamëz. Në dosjen e prokurorisë thuhet se zanafilla e gjithë konfliktit ka qenë pikërisht në Angli, ku njëri nga 5 vëllezërit Prenga, Astrit Prenga, jeton në këtë shtet. Sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, Astrit Prenga kontraktohej nga një anglez, për nxjerrjen e sasie kokaine që vinte nga Ekuadori në drejtim të portit të Portsmuthit. Anglezi e ka përdorur disa herë Astrit Prengën për të nxjerrë lëndën narkotike nga porti, por në një rast nuk ka qenë i rregullt me pagesën. Herën e fundit kur anglezi e ka kontraktuar për të nxjerrë drogën nga porti dhe futur në territorin anglez, ka qenë në muajin dhjetor 2019, kur i ka kërkuar Astrit Prengës, të nxjerrë sasinë prej 283 kg lëndë narkotike të ardhur nga Ekuadori.
Kjo punë do të kryhej, kundrejt një pagese financiare. Astrit Prenga ka arritur të nxjerrë lëndën narkotike së bashku me një person shqiptar të quajtur Xhulian (Gëzim Shullani) dhe një rumun, por Prenga i vendosi kusht anglezit, që të paguante jo vetëm vlerën e punës që kishte kryer këtë herë, por edhe vlerën e prapambetur. Prenga ka kërkuar që anglezi të përgjigjej edhe për pagesat e episodeve të tjera, pasi në të kundërt droga nuk do i dorëzohej asnjëherë. Anglezi që në këtë rast ka qenë pritësi i 283 kg kokainë është përpjekur për ta zgjidhur privatisht situatën me Astrit Prengën, por sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, Prenga këmbëngulte për t'u shpaguar nga anglezi për pjesën tjetër të parave. Në pamundësi për t'iu përgjigjur financiarisht Astrit Prengës, anglezi besohet se ka telefonuar në Ekuador dërguesin e kokainës, Dritan Rexhepin. Rexhepi është informuar mbi personin që kishte nxjerrë drogën nga porti dhe vijonte ta mbante peng, me qëllim ngritjen e nivelit të pagesës. Burimet thonë se Rexhepi ka biseduar me Astrit Prengën, duke i pohuar që t'i lironte mallin, pasi e gjithë ngarkesa ishte e tij, dhe Prenga nuk duhet t'ia prekte. Por nga ana tjetër, mësohet se Prenga i është përgjigjur se nuk kishte punë me të, pra me Dritan Rexhepin, por punët i kishte me anglezin që nuk kishte qenë korrekt dhe shpagimin e kërkonte nga anglezi dhe jo nga Dritan Rexhepi.