Zarf me lende helmuese drejtuar Shtëpisë së Bardhë, ky nuk është sulmi i parë me ricinë ndaj zyrtarëve amerikanë

20 Shtator 2020, 12:53

Një zarf me lëndë helmuese është drejtuar Shtëpisë së Bardhë ditën e djeshme. Pas analizave të bëra nga FBI-ja, raporti tregoi praninë e Ricinës, një substancë toksike, e cila  mund të shkaktojë vdekjen e personit që bie në kontakt me të brenda  36 deri në 72 orësh, ndërkohë që deri më sot nuk është gjetur asnjë ilaç shërues kundrejt saj.

Administrata e Trump, nuk ka dhënë asnjë koment në lidhje me raportet. Sakaq Byroja Federale e Hetimit dhe Shërbimi Sekret po hetojnë për të zbuluar se si është vendosur kjo paketë. Një zyrtar ka deklaruar se dyshohet se pakoja është dërguar nga Kanadaja. Incidentet me Ricinë në fakt në SHBA kanë qene  të shumta kundrejt zyrtarëve amerikanë.Në vitin 2018, dy persona u dënuan në incidente të veçanta për dërgimin e letrave me ricin Presidentit të atëhershëm Barack Obama. Në maj 2014, një person nga Misisipi, James Everett Dutschke, u dënua me 25 vjet burg pasi u deklarua fajtor për dërgimin e letrave me substancën vdekjeprurëse Obamës, si dhe një senatori amerikan dhe një gjykatës i shtetit. Në korrik 2014, një aktor nga Teksasi u dënua me 18 vjet për dërgimin e letrave që përmbajnë ricin për Obamën dhe ish-kryetarin e bashkisë së New York-ut Michael Bloomberg.