Zbardhen dy urdhrat e Sandër Lleshajt: Të hiqen postblloqet në rrugë, jo më policë në semaforë

14 Dhjetor 2018, 15:53

Të mos ketë më postblloqe policore nga akset kryesore rrugore dhe të hiqet praktika e dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane. Këto janë dy urdhrat e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Lleshaj kërkon edhe heqjen e praktikës së dublimit. 

Në shkresën e Lleshaj theksohet se "duke e konsideruar qarkullimin rrugor si një ndër sfidat e rëndësishme të punës së Policisë, përmes shkresës, evidentohen probleme që lidhen me gjendjen e rrugëve, me kulturën e përgjithshme të përdoruesve të saj, me kualifikimin dhe pajisjen e punonjësve të Policisë". Ministri kërkon ndërhyrje për ndryshimin e menjëhershëm të situatës, e këtu thekson se prania e Policisë në numër të tepruar dhe statike, nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

"Prania e postblloqeve policore u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, teksa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ultat në rajon", thuhet në shkresën e Lleshajt.

Me qëllim që të përmirësohet më tej niveli i sigurisë në qarkullimin rrugor, kërkoj që të merren masa të shpejta dhe të plota për të zbatuar gjithnjë e më shumë patrullimin në vend të postblloqeve në akset rrugore të vendit. 

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm

Por si do të realizohet patrullimi i akseve rrugore?
Sipas ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, kjo do të bëhet e mundur përmes organizmit të një sistemi të mirëfilltë patrullimi të kombinuar me mjete policie të shenjuara, punonjës policie në uniformë e mjete civile, e punonjës pa uniformë. "Policia e Shtetit do të aplikojë një plan ambicioz në fushën e qarkullimit rrugor, i cili nis me përdorimin e tabletave dhe vijon më tej me futjen e teknologjisë bashkëkohore (tableta, sensorë, drone) që do të ndihmojnë në mirë-menaxhimin e qarkullimit rrugor",thuhet më tej në shkresën e Lleshajt për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

"Jo më policë që dublojnë semaforët në kryqëzimet urbane"
Masa e dytë, ku kërkohet ndryshimi i shpejtë i situatës është shmangia në maksimum e punonjësve të Policisë Rrugore, që dublojnë semaforët. Kjo praktikë ndikon në edukim të gabuar të përdoruesve të rrugës, në raport me rregullat e qarkullimit rrugor. Ndër masat e tjera që do të nisin zbatimin shpejt, është projekti për dërgimin e gjobave nëpërmjet Postës, në adresë të shoferëve shkelës. Reduktimi i policisë në akset rrugore të vendit do të shfrytëzohet si mundësi që punonjësit të përfshihen në programe trajnimi, që nga ato profesionale e deri tek modulet e trajnimit fizik, të gjuhës së huaj etj.