Zbardhen përgjimet, biseda e Niçës me vëllain e deputetit e personat e tjerë për të mbushur kutitë

17 Gusht 2020, 22:23

Zbardhet dosja me përgjime mes Altin Avdylit dhe disa personave të tjerë në qarkun e Durrësit, të cilët mbushën me vota kutitë e votimit në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

“Shqiptarja.com” zbardh të plotë vendimin e gjykatës së Durrësit, në të cilin evidentohen fakti i mbushjes së kutive të votimit nga persona që qëndronin në Durrës dhe që bashkëpunonin ngushtë me Altin Avdylin, njeriun e akuzuar nga prokuroria për “Trafik droge” kryer në bashkëpunim dhe “Grup të strukturuar kriminal” së bashku me disa persona të tjerë që tashmë janë marë të pandehur në dosjen 339. Mes bisedave të përgjuara është dhe vëllai i deputetit të PS Ilir Ndraçit, Arjan Ndraçi, i cili bisedon me Altin Avdylin, për votat e mbledhura.

Nga përmbajtja kuptohet qartë interesi i familjarëve të deputetit Ndraçi, për të siguruar sa më shumë vota, nën ndikimin e Altin Avdylit. Ky i fundit i garanton që të rijnë të qetë, pasi tashmë e kanë rregulluar dorën në të gjithë zonën elektorale. Siç thuhet në vendimin e gjykatës, hetimet për manipulimin dhe vjedhjen e votave nga disa elementë në qarkun e Durrësit, kanë nisur për akuzën e “Votimit më shumë se një herë ose pa u identifikuar”.

Nga hetimi me metoda speciale, si përgjimi telefonik dhe nga aktet e tjera hetimore është evidentuar fakti se Shpëtim Marku, gjatë votimeve për zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në 25 qershor 2017, ka votuar në emër të babait të tij, Xhemali Marku, ndërkohë që ky i fundit ndodhej jashtë shtetit, në Itali. Gjithashtu, persona të tjerë kanë votuar në emër të shtetasve Jonida Biba, Greta Marku, Hume Marku, Mondi Stafa, Fatime Stafa, Brixhilda Marku, Alfred Stafa, Lirije Tuda, Elsa Tuda, Sokol Plaku, Agim Stafa, Abastri Marku, Bujar Biba, Olgers Koçi, Sokol Koçi, Ikbale Marku, Juela Marku, Xhemali Marku, Median Koçi, Lirim Hysa, Ditmir Hysa, Ferit Hysa, Hajri Hysa, ndërkohë që ato ndodheshin jashtë shtetit ditën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare me datë 25 qershor 2017. I pyetur për këtë fakt Xhemali  Marku, ai ka deklaruar se në periudhën e zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të zhvilluara në 25 qershor 2017, ai ka qenë në Itali dhe se nuk ka marrë pjesë në procesin e votimit, si dhe nuk ka dijeni se kush mund të ketë votuar në emrin e tij.