Zbardhen përgjimet si polici dhe avokati mashtronin qytetarët për gjyqet

11 Korrik 2018, 18:13

Zbardhen përgjigjimet që zbuluan policin Haki Dyli dhe avokatin Devis Qana, të cilët dyshohet se u merrnin qytetarëve deri në 2000 euro, me premtimin se do ndikonin tek gjyqtarët dhe prokurorët për çështje të ndryshme. Në datën 2 mars 2018 polici Haki Dyli, i cili shërbente pranë Gjykatës së Durrësit, ka biseduar në celular me një person, ku i thotë “thuaj babit do ta sjell atë 150-ce dhe do t'ja vonoj një cik atë qindshen”.

Këto para dyshohet se Haki Dyli ia kishte marrë një personi në hetimin me premtimin se do ndikonte tek gjyqtari, por që më pas i ka rikthyer. Gjithashtu në përgjime e fshehta fotografike dhe me video rezulton se polici Haki Dyli u ka marrë disa herë para qytetarëve në procese gjyqësore. 60-vjeçari ua kërkonte vetë lekët qytetarëve dhe u thoshte se ai ishte vetëm ndërmjetësuesi me gjyqtarët dhe prokurorët.

Të njëjtin rol dyshohet se ka pasur edhe avokati Devis Qana, që gjithashtu është arrestuar. Të dy u ndaluan nga Policia e Tiranës me urdhër të Prokurorisë. Pas arrestimit të policit dhe avokatit ka reaguar edhe Gjykata e Durrësit. Kjo gjykatë sqaron se arrestimi i policit është bërë pas kallzimit të kryetares së Gjykatës, Joana Qeleshi.