Kanë kaluar më shumë se 48 orë nga zbulimi i 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit dhe policia e prokuroria e Durrësit, vijon hetimet për të ndërtuar dinamikën e plotë të kësaj ngjarje.
I vetmi nga të arrestuarit që ka folur për anëtarët e grupit hetimor është shoferi i kamionit 61-vjeçari Agim Çeka,i cili u ka pohuar hetuesve se sasia e parave ka qënë për dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi, por ai gjatë dhënies së dëshmisë nuk ka qënë në gjëndje të tregonte se sa ishte sasia e parave që ndodheshin në makinë.
Në dëshminë e tij, Agim Çeka, ka pohuar se automjetet i kishte marrë në Belgjikë, dhe se pikërisht në këtë shtet ishte vënë në dijeni nga një person shqiptar, se kishte diçka me rëndësi brenda në makinë dhe se duhet të ecte qëndrueshëm në rrugë, pasi do shpërblehej.
Çeka ka treguar se nuk ka qënë në dijeni se trajleri i tij mund të jetë ndjekur nga pas, por sipas policisë, ka shumë gjasa që kamioni i ngarkuar me 9 makina, të jetë mbikqyrur gjatë gjithë rrugës, nga pronarët e vërtetë të shumës prej 3.4 milion eurove.
Lekët u futën në makina në Belgjikë
Hetimet e policisë janë përqëndruar në disa persona, që ushtrojnë aktivitet kriminal në Belgjikë dhe Hollandë. Sasia e parave është fituar nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
