Zbardhet dosja, ja kush janë të mashtruarit me tollonat e Gulf-it

17 Mars 2019, 11:31

Biznesmeni Barush Biba që administron kompaninë ndërtimore “Biba X”, fituesen e tenderit të dështuar 18 milionë euro për ndërtimin e mbikalimit tek sheshi “Shqiponja” kishte blerë 63.5 milion lekë të vjetra tollona nafte, tek kompania “Sun Petroleum Albania” (Gulf). Të gjitha tollonat e naftës ishin paguar në llogarinë bankare të kompanisë në dy këste 5 milionë dhe 1.3 milion lekë nga Barush Biba, i cili synonte që naftën e blerë me një çmim prej 135 lekë të reja për litër, ta përdorte për makineritë e firmës së ndërtimit “Biba X”. Por nuk ka kaluar shumë nga blerja e tollonave dhe biznesmeni Biba, ka kuptuar se ishte mashtruar, pasi në depozitat e naftës së kompanisë “Sun Petroleum Albania” nuk kishte më naftë, ndërkohë tollonat e blera kishin mbetur pirg në zyrat e kompanisë së tij “Biba X”.

I ndodhur në kolaps, biznesmeni Barush Biba, i është drejtuar prokurorisë së Tiranës duke kallëzuar për mashtrim kompaninë “Sun Petroleum Albania”. Në të njëjtën situatë me Barush Bibën, janë ndodhur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi Ligjor Falas, “Deloitte Albania” dhe disa biznese e individë të tjerë. Të gjithë këta e kanë parë veten të mashtruar. Në atë periudhë shoqëria drejtohej nga gjeorgjiani Irakli Svanidze dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shitjeve Alban Aliko. Të gjithë kallëzuesit kanë marë për një kohë të gjatë naftë në shoqërinë e mësipërme. Por ka ardhur një ditë që kallëzuesit kanë shkuar pranë pikave të furnizimit të subjektit shitës dhe nuk kanë mundur të furnizohen me naftë, madje i kanë gjetur të mbyllura pikat e tregtimit, të cilat nuk shërbenin as me tollona dhe as me lekë në dorë, pasi nuk kishte karburant në depozita.