Pjetër Gavoçi, nga fshati Kosmaç i Shkodrës është personi i fundit që ka takuar efektivin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Xhulio Prelën, i cili mbeti i vrarë me një plumb në gjoks të shtunën. Gavoçi, rezulton të jetë kunati i djalit të tezes së Xhulio Prelës, i cili e kishte kërkuar këtë të fundit që të dilte ta priste në orën 01:00 të mesnatës në aeroportin e Rinasit, dhe ta transportonte në fshatin Kosmaç të Shkodrës. Kërkesa e Gavoçit tek Xhulio, është bërë për arsyen e vetme, se ai ishte efektiv i policisë dhe nuk kishte probleme për të lëvizuar në rrugë, gjatë orës policore të vendosur nga Komiteti i Ekspertëve që monitorojnë situatën e virusit pandemik “COVID 19”.Xhulio në mbrëmjen e 4 dhjetorit 2020, ka shkuar në banesën e prindërve të tij në Lezhë. Ka konsumuar darkën dhe më pas është larguar në drejtim të Rinasit. Në këtë vend ka pritur mikun e tij Pjetër Gavoçi që të vinte me avion nga Anglia dhe të dy së bashku udhëtuan me makinën e Xhulios, drejt fshatit Kosmaç të Shkodrës. Teksa janë akomoduar në banesë, Xhulio Prela, i ka pohuar se duhet të kthehej në Tiranë, pasi kishte lënë vetëm të fejuarën e tij nga Fieri. Nga ana tjetër Pjetër Gavoçi dhe familjarët e tij, i kanë kërkuar që efektivi 26-vjeçar i policisë të qëndronte në banesë dhe të flite aty. Por Prela ka kërkuar që të largohet dhe është larguar, nga fshati Kosmaç me qëllim për të ardhur në Tiranë, tek e fejuara. Mirëpo gjatë rrugës Lezhë-Milot, efektivi i policisë ka parë një automjet, dhe një person që kishte dalë nga makina, po ia bënte me drita me një elektrik dore. Hetuesit dyshojnë se punonjësi i policisë Prela, ka menduar që personi që ia ka bërë me drita, ka kërkuar ndihmë, ndaj dhe Prela është kthyer mbrapsht.
