Zbardhet kallëzimi/ PD-prokurorisë: Heto krimet, 7 pikat që rrëzojnë 30 Qershorin, 45 vite burg

20 Korrik 2019, 16:46

TIRANE-Partia Demokratike kallëzon në prokurori anëtarët e KQZ, komisionerët e PS dhe zyrtarë të lartë për krimet e kryera para, gjatë dhe pas 30 Qershorit. PD-ja i kërkon Kryeprokurores Arta Marku të mos pengojë hetimet për krimet elektorale të 30 Qershorit.

Nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje se sipas tij organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184 të Dibrës dhe 339 të Durrësit por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit.  Letra e numrit 2 të PD-së shpreh mosbesimin e opozitës për Arta Markun për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.

Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra” - thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.