TIRANË- Report Tv ka zbardhur emrat dhe skemën e mashtrimit se si zyrtarët e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore në bashkëpunim me dy biznesmenë i shkaktuan shtetit një dëm prej 1.5 mln dollarë.
Në pranga kanë rënë punonjësit Arben Doda, Simon Marku, Qano Hoxhaj, Denis Durrsi, teksa është lënë në arrest shtëpie Rezarta Sulejmani. Gjithashtu është arrestuar edhe Naim Kasa, biznesmeni në fushën e hidrokarbureve. Ndërkohë janë shpallur në kërkim biznesmeni i hidrokarbureve Isuf Berber, aksioner edhe i kompanisë Fufarma', si edhe Klodian Gradeci, ish-drejtori OST-së në Tiranë, më herët mbante detyrën e drejtorit të hidrokarbureve AKBN-së. Ky i fundit, në janar 2019 ka dhënë dorëheqjen nga posti Drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, pas skandalit me firmën “DH Albania”, ku i kishte dhënë kësaj kompanie një tender me vlerë 18 milion euro. Teksa sa i përket Berberit, mësohet se ai ka udhëtuar ditën e hënë nga Tirana drejt Turqisë.
Pas hetimeve ka rezultuar se kompania "Phoenix Petroleum" e cila është në pronësi të dy biznesmenëve Isuf Berberit (në kërkim) dhe Naim Kasa (i arrestuar) kanë marrë në shfrytëzim disa puse nafte, por nuk ka kanë kryer investimet e detyrueshme. Ato i kanë dorëzuar AKBN 8 fatura të falsifikuara, sikur kanë kryer punimet nga kompania amerikane "Black Swan Energy Service". Vlera e këtyre fatura shkon në 1. 299.000 USD.
Në lojë në këtë skemë mashtrimi futen zyrtarët e Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka zbardhur të gjitha rolet dhe detyrat që kishin të gjithë personat e përfshirë në këtë skemë mashtrimi. Mësohet se tre punonjësit Denis Durrësi, Qani Hoxha dhe Rezarta Qose Sulejmani, si dhe ish drejtori i OST-së Klodian Gradeci që është shpallur në kërkim, kanë certifikuar në mënyrë të kundraligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si punime të bëra. Ndërsa punonjësit e administratës tatimore, Arben Doda dhe Simon Marku kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë që kjo administratë të pësojë një dëm ekonomik prej 568.000 USD.