Zbardhet vendimi/ Pse rigjykimi i vrasjes së Azem Hajdarit do jetë në dorë të SPAK!

26 Shtator 2019, 15:46

TIRANE - Një nga vrasjet më të bujshme në historinë e Shqipërisë, ajo e ish-deputetit Azem Hajdari  më 12 shtator të vitit 1998, është tashmë në duart e Gjykatës për Krime të Rënda, për të nisur gjykimin nga themeli. Për këtë vrasje, është dënuar në mungesë Izet Haxhia, truprojë e ish-presidentit të asaj kohe Sali Berisha, deri në vitin 1998. Me rikthimin e tij në Shqipëri, pas viteve të tëra arratie në Turqi, Izet Haxhia, tashmë pas qelisë, kërkoi rigjykimin nga e para të dosjes "Hajdari", vrasje për të cilën ka pretenduar pafajësi që në momentin e parë kur është akuzuar si ekzekutori i ish-dhjetoristit.

Gjykata e Tiranës, që e ka dënuar në mungesë me 25 vjet burg Izet Haxhisë, shpalli moskompetencë për të rigjykuar çështjen, duke ja kaluar Gjykatës për Krime të Rënda, që ka në kompetencë vrasjen e ish-deputetit.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, ka arritur të sigurojë vendimin e zbardhur të kalimit të dosjes nga Gjykata Penale tek krimet e Rënda.

Gjykata Penale argumenton se mund të linte vendimin në fuqi por se nuk e ka një kompetencë të tillë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë dakordësuar kompetencat, thotë Gjykata Penale.

"Nëse vazhdojmë procesin, vendimi automatikisht i pavlefshëm", thuhet në argumentet e vendimit.

Me ngritjen e SPAK, Prokuroria e Krimeve të Rënda pushon së funksionuari po ashtu edhe Gjykata e Krimeve të Rënda e cila kthehet në Gjykatën e Posaçme. Pra, edhe rigjykimi i dosjes Hajdari pritet të kalojë në SPAK (Strukturën e Posacme Anti Korrupsion).

Për vrasjen e Azem Hajdarit, Izet Haxhia, një nga tre të dënuarit, ka fituar të drejtën e rigjykimit dhe procesi për të është hapur nga e para. Një tjetër kërkesë e rrëzuar Haxhisë ishte edhe ajo për përjashtimin e trupës gjykuese për të cilin avokati thotë se kërkojnë gjykatës me vetting të kaluar.

Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës. Pas vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi nga ku dhe ekstradua më 8 Maj 2018.

Kur dosja të nisë rigjykimin nga e para tek Krimet e rënda, Izet Haxhia pritet të kërkojë sërish hetimin në gjendje të lirë, siç ka bërë edhe pas ekstradimit në Shqipëri, kërkesë që u rrëzua. Po ashtu, Izet Haxhia ka kërkuar dëshminë e afro 60 personave ish-zyrtarë që kanë qeverisur në atë kohë, mes të cilëve edhe ish-presidentit Sali Berisha.