Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, policia ‘dynd’ me gjoba shoferët e makinave

2 Mars 2021, 17:41

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një plan operacional të koduar "ROADPOL MARS 2021”, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Kështu prej ditës së sotme, në të gjithë vendin, Njësia Operacionale, në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në Drejtoritë Vendore të Policisë, ka nisur kontrollet për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin operacional, të cilat konsistojnë në monitorimin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor nga përdoruesit e rrugës, veçanërisht nga drejtuesit e mjeteve.

Kontrollet parandaluese po vijojnë në lëvizje duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë dhe mjete të tjera teknike me punonjës policie civilë, të cilët monitorojnë me kamera rruge, segmente kyçe të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.

Patrullimi dhe monitorimi parandalues konsiston kryesisht në parakalimet e gabuara, shpejtësinë mbi normat e lejuara, për përdorimin e celularit nga drejtuesit e automjeteve gjatë drejtimit të mjetit, për mosvendosjen e rripit të sigurimit nga drejtuesit e mjeteve dhe të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve, si dhe për drejtimin e mjetit nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Prej mëngjesit të sotëm e deri në këto momente, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore janë vendosur 138 masa për parakalime të gabuara të konstatuara gjatë lëvizjes me mjete të pauniformuara dhe nga efektivë civilë të Policisë Rrugore.