Zbulime të reja, Anila Omari: Thesaret e rralla të shqipes në veprën “Çeta e profetëve” të Pjetër Bogdanit

19 Shkurt 2020, 21:33

“Çeta e profetëve”, vepra e ipeshkvit patriot e shkencëtar Pjetër Bogdani, e botuar në vitin 1685, është një nga thesaret e trashëgimisë letrare dhe gjuhësore të shqipes.

Kjo trashëgimi ka intriguar studiues e shkrimtarë të njohur shqiptarë e të huaj si Petrotta-n, Eqrem Çabejin, Fishtën, Justin Rrotën, Injac Zamputti-n, Ibrahim Rugovën, që kanë bërë kërkime jo pak voluminoze rreth personalitetit dhe veprës së tij.

Por gjuhëtarja dhe albanologia e njohur Anila Omari, në shtigje të pashkelura më parë, i ka lidhur kërkimet e saj pazgjidhshmërisht me këtë vepër, duke prekur ashtin, aty ky buron shqipja dhe thesaret e fjalorit të saj.

Tezat e para kishin marrë jetë në botimin kritik të vitit 2005 të “Çetës së profetëve” nga Omari, ku u publikua për herë të parë riprodhimi i origjinalit me një transkriptim fonologjik, hyrje studimore e shënime, ndërsa tre vjet më parë profesoresha e njohur botoi “Leksikun e veprës së Pjetër Bogdanit”, leksik që ajo do ta ndriçonte pareshtur kërkim pas kërkimi. 

Puna e Anila Omarit nuk mbeti me kaq. ...

Ne takuam këto ditë, kur sapo i kishin sjellë në dorë kopjen e parë të botimit kritik të rishikuar të “Çetës së profetëve”.

Dhe ky botim merr një rëndësi të veçantë,  sepse Anila Omari ka sjell në botën akademike të parin studim filologjik të veprës së Bogdanit, duke tërhequr rreth saj një publik pak më të gjerë se ai me formim shkencor.

Kërkimet e reja të profesoreshë Anila Omarit kanë sjellë në dritën e botimit, jo vetëm një riprodhim anastatik të tekstit origjinal, por në faqet përbri ajo ka bërë edhe transkriptimin fonetik, ku sqarohen fjalë të rralla apo shndërrime morfologjike të gjuhës së Bogdanit.

Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, profesoreshë Omari do të  rrëfej fakte interesante, jo vetëm për gjuhën e  Bogdanit, që hodhi urat që arbrit t’i lexonin librat në gjuhën amtare, por edhe për faktin sesi ai bashkë me ungjin e tij Andre Bogdani punoi për mëkëmbjen e zhvillimin e kulturës kombëtare dhe çlirimin e vendit gjatë viteve të trazuara të luftës me osmanët.