Zbulohet çfarë ndodhi në Porto Palermo mes familjes së miliarderit spanjoll dhe Mihal Kokëdhimës

21 Gusht 2019, 18:58

HIMARË - Ngjarja e 15 gushtit në Porto Palermo, ku Mihal Kokëdhima, pronar i një resorti ndërtuar pa leje në plazh dhe që sot u shemb nga IKMT, sulmoi familjen e miliarderit spanjoll, Eugenio Galdon, ka bërë bujë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufirit. Ngjarja u zbulua se ishte në kufijtë e çmendurisë, kur Report Tv publikoi një video ekskluzive, teksa Mihal Kokëdhima, kushëri i ish-deputetit Koço Kokëdhima, ishte hedhur mbi kofanon e furgonit me të cilin turistët u larguan nga restoranti "Panorma", dhe i kërcënonte duke thyer xhamin e përparmë. Mbi 3 kilometra rrugë në kushte të tilla, që terrorizuan familjen spanjolle pas incidenteve të nisura në restorant në lidhje me porosinë që ata kishin dhënë. Kokëdhima, i cili ndodhet aktualisht në burg, tha se nuk i sulmoi turistët, dhe se ata donin të largoheshin pa paguar.

Por asgjë më shumë nuk ishte mësuar mbi atë se cfarë kishte ndodhur realisht në restorant. Familja, që në këtë udhëtim shoqërohej nga dy shqiptarë, shoferi i furgonit dhe një tjetër shqiptar për guidën, rezultoi të ishte një nga familjet më të pasura. Galdon është një nga 200 njerëzit më të pasur në Spanjë, themelues i kompanisë 'ONO', që iu shit Vodafone për 7.2 miliardë euro, si dhe ka mbajtur edhe poste të tjera shumë të larta në administratën spanjolle, që do të thotë, se për ta nuk ka qenë aspak problem të paguanin një faturë, sado e lartë të ketë qenë ajo.