Zbulohet kërkesa për azil politik në Shqipëri e turkut: Atje më konsiderojnë gylenist, mund t'më keqtrajtojnë

24 Janar 2020, 15:36

TIRANË - Selami Simsek, 40-vjeçari turk i ndaluar nga autoritetet shqiptare në kufi pasi donte të shkontë në Kanada me vizë të falsifikuar, ka kërkuar azil politik në shtetin shqiptar, me argumentin se në Turqi e konsiderojnë pjesëtar të lëvizjes "Gulen" dhe mund ta keqtrajtojnë.

Report Tv siguron kërkesën që ai i ka dorëzuar autoriteteve shqiptare më 8 janar.

"Sot më datë 08.01.2020 pranë IEVP Mine Peza, unë Selami Simsek, i biri i Samiut, i datëlindjes 06.08.1980, banues në Turqi, dua t'i paraqes shtetit shqiptar një kërkesë për azil. Këtë kërkesë e paraqes pranë zyrës së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, që të fillojë procedura në emrin tim sa më shpejt të jetë e mundur për azil. Këtë kërkesë e paraqes për shkak se në Turqi, shteti mendon që unë jam anëtar i lëvizjes Gulen, dhe mendoj se atje mund t'i nënshtrohem veprime keqtrajtuese", thuhet në kërkesën për azil të shkruar në gjuhën turke, dhe më tej të përkthyer në shqip.