Zbulohet skenari i opozitës/ Nesër në 18:00 do të bllokojë akset kryesore

24 Prill 2019, 15:00

Nesër në orën 18:00 Partia Demokratike, LSI dhe partitë e tjera opozitare do të zhvillojë protestën e radhës, e cila nuk do të jetë përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit si në nëntë tubimet e tjera, por në akset kryesore që lidhin Jugun dhe Veriun e vendit me kryeqytetin për të paralizuar qarkullimin.

Burime për Report Tv konfirmojnë pikat që opozita do të bllokojë nesër pasdite me rreth një orë. Në Elbasan, te rrethrrotullimi i Bradasheshit do të bllokohet aksi që lidh Juglindjen me Tiranën, zona e Jugut do të bllokohet në rrethrrotullimin e Sheqit të Fierit.

Protestuesit nga Veriu i vendit do të grumbullohen në Milot. Një tjetër pikë do të jetë ajo te Shkëmbi i Kavajës dhe kryesorja te sheshi 'Shqiponja' për të bllokuar hyrjen në Tiranë.  Ky është një skenar i përsëritur nga opozita, pasi edhe më parë ka bllokuar rrugët, ndërsa në 11 maj do të jetë protesta kombëtare para Kryeministrisë. 

Vitin e kaluar, po në këto arterie kryesore të vendit opozita bllokoi rrugët disa herë si shenjë e mosbindjes civile. Edhe tani, një vit më pas, opozita vijon që të kërkojë largimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme parlamentare. PD dhe LSI kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa nuk u regjistruan në KQZ.