Zbuloi nga shokët e klasës se ishte i birësuar dhe e la shkollën / I riu në kërkim të prindërve biologjik

5 Nëntor 2019, 18:50 | Përditesimi i fundit: 2019-11-06 09:57:24

TIRANË- Tomorr Brahushi është 36-vjeçari i birësuar vjen sot në emisioni ’’Pa gjurmë’’ të moderatores Odeta Dume në Report Tv, në kërkim të prindërve biologjik. I mbetur i vetëm pasi edhe prindërit birësues janë ndarë nga jeta vite më parë, Tomorri është në kërkim të rrënjëve biologjike.

Tomorri u birësua nga çifti Shpëtim e Kristina. Ai ishte 4-vjeç kur nga Shtëpia e Fëmijës në Vlorë, u zhvendos përfundimisht në qytetin e Lushnjes në vitin 1987, atje ku jetonte familja birësuese Brahushi.Tomorri u braktis pasi u lind më 16 nëntor të vitit 1983, në maternitetin e Elbasanit ku qëndroi afro dy muaj deri më 13 janar 1984 kohë në të cilën ai u transferua në Shtëpinë e Fëmijës Vlorë. Me një fëmijëri të lumtur Tomorri do të mësonte një të vërtetë të papritur për jetën e tij, kur në moshën 10-vjeçare shokët e klasës i thanë se ai nuk i kishte prindër biologjik Shpëtimin dhe Kristinën.

Fillimisht nuk u besoi fjalëve, por pyetjen ia bëri nënës menjëherë sapo mbërriti në shtëpi. Nënë Kristina ia mohoi këtë gjë. Ajo nuk i tregoi të vërtetën e birësimit ndërsa jeta e Tomorrit merr një tjetër rrjedhë. Ai nuk shkoi më në shkollë. Pas kësaj ai u përball vetëm me përbuzje. Prindërit e tij birësues janë ndarë nga jeta, Kristina ndërroi jetë në vitin 2010 ndërsa Shpëtimi dy vite më pas.

Sot, Tomorri është 36-vjeç dhe jeton dhe lëmoshën e qytetarëve lushnjarë, ndërsa punon rrallë ku të mundet të gjejë punë. Nga kushtet e vështira ekonomike dhe nga problemet shëndetësore nuk ka mundur të mbarojë as shkollën.

I mbetur fillikat, Tomorri ndihmohet nga banorë të zonës dhe nga një shoqatë me një pension invaliditeti për shkak të një sëmundje nga e cila vuan. 

Tomorri ka zbuluar se ekzistonte një certifikatë lindje në zyrën civile në qytetin e Elbasanit, aty ku e vërteta e përball me dy emra, që mendohet  se mund të jenë prindërit e tij biologjik. Për këtë, në kërkim të dy emrave biologjikë, që e braktisën 36 vite më pare, Tomorri rrëfeu në ’’Pa gjurmë’’ dramën e jetës, në kërkim të së vërtetës.