Zgjedhje në 13 Tetor me Ramën? Basha i paqartë: Qëndresë edhe me protesta

16 Korrik 2019, 20:57

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është i paqartë për aksionin opozitar dhe për këtë duket se ka ndikuar takimi i fundit me Presidentin Meta. E ndërsa u krijua ideja se hoqi dorë nga zgjedhjet pa Ramën kryeministër dhe me një qeveri tranzitore, Basha nga Berati mbrëmjen e sotme u shpreh se në vijim të aksionit opozitar do të ketë sërish protesta, por edhe shpalosje të alternativës dhe programit.

"Ne do të vazhdojmë me një ndërthurje të aksionit opozitar, me vazhdimin e qëndresës, denoncimit, protestave dhe shpalosjen e alternativës sonë, planit tonë për të ndryshuar vendin duke filluar me ndryshimin ekonomik që të jetë i prekshëm për të gjithë. Ndryshimi do të vijë kur të kemi një qeveri për njerëzit dhe jo për oligarkinë" tha ai.

Ndërkohë që sërish nuk janë në sinkron me aleatin kryesor në opozitë, Monika Kryemadhin, e cila nga Durrësi deklaroi se LSI-ja nuk ka pushime në verë për strukturat por fushatë për zgjedhjet e 13 tetorit. "Muaji korrik dhe gusht, jo muaj pushimi, por pune të plotë për zgjedhjet" tha ajo