Zgjedhjet brenda PS, Veliaj me socialistët e Njësisë 2: PS është skuadër fituese, Saliu dhe Iliri e kanë vendin në faqet e zeza të historisë

7 Qershor 2022, 19:12

Partia Socialiste ka nisur procesin e zgjedhjes së strukturave për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në një takim informues për zgjedhjet e brendshme, me anëtarët e asamblesë së PS në Njësinë 2, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, tha se PS është e gatshme të përballet me Sali Berishën dhe Ilir Metën në zgjedhjet e ardhshme. Ai theksoi se PS hyn në zgjedhjet vendore me një listën të gjatë punësh të mira dhe investimesh të kryera në Tiranë.

“Kemi një narrativë shumë të bukur të punëve që janë bërë edhe nga Qeveria, edhe nga Bashkia. Pastaj, bujrum, përballë le të vijë kush të dojë. Nëse e bëjnë më mirë, le të vijnë ta provojnë. Nëse janë këta të lodhurit, që i kemi pasur këto 30 vjet, le të kombinohen si të duan, tek e tek, apo bashkë, për sa kohë që skuadra jonë është fituese, të tjerat janë detaje të panevojshme”, tha Veliaj.