Zgjedhjet e 25 prillit/ Emigrantët regjistrim online, verifikimi përmes ‘face-ID’

10 Janar 2021, 10:49 | Përditesimi i fundit: 2021-01-10 11:04:59

KQZ do të ngrejë një sistem që do mundësojë regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 25 prillit. Nëpërmjet një projektvendimi që pritet të miratohet se shpejti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon që emigrantët të regjistrohen por fillimisht të deklarojnë vendbanimin e tyre ashtu si parashikon ligji i vitit 2016.

Shtetasit shqiptarë që do duhet të japin votën për zgjedhjet parlamentare  do të plotësojnë të gjitha të dhënat që do të kërkojë sistemi i KQZ i cili gjithashtu do të bëjë verifikimin e çdo shtetasi nëpërmjet dy mënyrave:

Mënyra e parë është të japë të dhënat personale edhe të familjareve ndërsa mënyra e dytë nëpërmjet FACE ID.

Nëse të dhënat e marra nuk përputhen hiqet mundësia e votimit

KQZ nuk e ka një numër të saktë të shtetasve shqiptare që jetojnë jashtë vendit për shkak se nuk është bërë regjistrimi i tyre.

Ndonëse ky projektvendim pritet të miratohet së shpejti, KQZ është e vetëdijshme se ky proces është i vështirë për t’u realizuar, jo vetëm për shkak të afatit kohor por edhe sepse Shqipëria nuk e ka ende një kornizë të plotë që rregullon dhe mundëson të drejtën e votimit nga jashtë vendit për zgjedhësit me vendbanim jashtë shtetit.