Zgjedhjet e 25-Prillit, KQZ letër Qeverisë, Kryebashkiakëve, partive e kandidatëve të pavarur: Mos përdorni burimet publike

24 Mars 2021, 16:27

TIRANË- Kur pritet që të fillojë zyrtarisht fushata elektorale, Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që t'i kujtojë edhe një herë palëve rregullat. KQZ i ka dërguar letra të veçanta Kryeministrit Rama, Kryebashkiakëve, partive e kandidatëve të pavarur dhe i bën thirrje që të mos përdorin burimet publike për fushatën zgjedhore.

Në letrat që Report Tv disponon, KQZ-ja i bën apel të gjithë drejtuesve të institucioneve publike të tregojnë vetpërmbajtje dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kodit Zgjedhor, në të kundërtën do të ketë ndëshkime. 

“Duke marrë në konsideratë raportet e para të depozituara nga monitoruesit, KQZ i bën apel të gjithë drejtuesve të institucioneve publike të tregojnë vetpërmbajtje dhe të përmbushin detyrimet e tyre sipas Kodit Zgjedhor”, thekson KQZ.

Fushata elektorale nis zyrtarisht nesër, 25 mars, një muaj fiks para zgjedhjeve të 25 prillit.