Zgjedhjet e 30 qershorit/ Gjiknuri çel fushatën me Dritan Lelin në Vlorë: Ka përfunduar koha e fjalëve, tani është radha e veprave

13 Qershor 2019, 16:28

Partia Socialiste ka çelur në Vlorë fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kandidati për bashkinë e Vlorës në rradhët e Ps-së është Dritan Leli. Ndryshe nga se ndodh zakonisht në këtë prezantim të kandidatit ka munguar kryeministri, njëherësh edhe deputeti i këtij qarku, Edi Rama.

Ndërkaq, përgjegjësi politik për qarkun Damian Gjiknuri, foli në lidhje me dekretin e Metës për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve lokale. Sipas Gjiknurit ka përfunduar koha e fjalëve dhe është radha e veprave.

“Dekreti i Presidentit, siç thotë një shprehje e popullit është një vrimë në ujë. Nuk ka asnjë vlerë juridike. Koha e fjalëve ka mbaruar. Ne ofruam çdo mundësi për dialog. Tentativat për të penguar zgjedhjet janë të kota. Ka ardhur koha e veprave. Vepra jonë e vetme është të dalim në votime dhe të japim votën tonë pro stabilitetit, pro zhvillimit evropian të Vlorës”, u shpreh Gjiknuri.

Kujtojmë, se partia Socialiste rikandidon për një mandat të dytë në Bashkinë e qytetit bregdetar, me Dritan Lelin.

“Në mandatin e ri do të mundësojmë rikonstruksionin e teatrit “Petro Marko” të Vlorës.Do ti rijapim vlerë muzeut më të rëndësishëm të Shqipërisë, Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Kemi miratuar pak muaj më parë edhe pjesën e parë të projektit të shëtitores pas tunelit në drejtim të Radhimës e Orikumit. Do të ndërtojmë korsi të dedikuara biçikletash për një aks me gjatësi 20 km” -tha Leli.

    No videos found.