Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë u mblodh pasditen e sotme ku mori disa vendime. Opozita angazhohet që të mos lejojë zhvillimin e zgjedhjeve në 30 Qershor, të cilat Meta i anuloi, por Rama shprehet i vendosur që do të bëhen.
Në këtë situatë Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike vendosi formimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel kombëtar dhe në nivel lokal, sipas tyre një bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që i kanoset demokracisë në vend. Sipas njoftimit nga PD-ja, aleanca angazhohet për marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues.
Këshilli Kombëtar u ka lënë afat degëve të Partisë Demokratike në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës së bashkuar që, brenda datës 15 Qershor 2019, të formojnë Aleancat Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë në nivel lokal, në 61 bashkitë e vendit.
Presidenti Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, por kryeministri Edi Rama u shpreh sot sërish i vendosur se zgjedhjet do të bëhen në datën e përcaktuar, pra 30 qershor, ndërsa opozita përgatitet për t'i penguar.
