Në zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare dhe Administrative në Serbi, shqiptarët e luginës së Preshevës deri tani kanë siguruar të paktën 3 vende në Parlament dhe shpresojnë edhe për të katërtin, kurse Partia Serbe e Përparimit (SNS), e Presidentit Aleksandër Vuçiç ka arritur një fitore dërrmuese në votimin e parë në Europë, pas heqjes së kufizimeve prej pandemisë.
Sipas televizionit publik serb, ndërsa deri tani janë numëruar 93.4% e votave, konservatorët në fuqi që nga viti 2012, janë fitues me 63.4%.
E përkthyer në numër mandatesh, SNS deri më tani ka siguruar 189 vende në parlament nga 250 të mundshëm, duke lënë pas me diferencë shumë të madhe partinë e Ministrit të Jashtëm Ivica Daçiç, e cila deri më tani ka arritur të sigurojë 32 mandate.
Partitë shqiptare këtë vit vendosën të bashkonin votat e tyre dhe të futeshin në zgjedhje nën një parti të vetme, e quajtur Alternativa Demokratike Shqiptare dhe do të jenë të përfaqësuar minimalisht me 3 deputetë.
Ndërsa mbeten shumë pak vota për t’u numëruar, Lugina e Bashkuar e Preshevës, që deri tani ka siguruar 1 për qind të votave, shpreson edhe për një tjetër vend në parlamentin serb.
Ditën e djeshme u thirrën për të votuar rreth 6 milion e 600 mijë votues dhe pjesëmarrja në zgjedhje ishte 48%, rreth 8% më e ulët se katër vjet më parë.
Suksesi i konservatorëve të Vuçiç ishte pothuajse i parashikueshëm, për shkak të bojkotimit që opozita radikale i bëri zgjedhjeve.